Sunday, October 10, 2010

Si duhet ti edukojme femijet?

 Fëmijët e kuptojnë rëndësinë e respektit nëse shohin respekt dhe mirësjellje në shtëpi dhe në mjedisin ku jetojnë. Kontrolloni librat që lexojnë dhe programet televizive të cilat ndjekin.
Fëmija juaj është i pasjellshëm, përdor fjalë të papërshtatshme, nuk di si të sillet dhe nuk ia ka idenë e respektit?Televizioni ndikon në formimin e karakterit të fëmijëve. Por edhe sjellja dhe mënyra e të folurit e nënës-babait dhe pjesëtarëve të familjes luan një rol të rëndësishëm në edukimin e tyre. Fëmijët në fillim respektin e shohin tek ju. Ankesa më e shpeshtë e familjeve bëhet rreth sjelljeve të pahijshme të fëmijëve. Fëmijët nuk tregohen fare të kujdesshëm në mënyrën e të ulurit, të folurit pranë të rriturve. Ulen këmbë mbi këmbë pranë të rriturve, flasin krejt haptazi dhe grinden në mënyrën më të turpshme. Padyshim se televizioni dhe ambjenti janë faktorë të rëndësishëm në krijimin e situatave të tilla tek fëmijët . Sjelljet e kundërta me respektin, mirësjelljen, etikën dhe kulturën të shfaqura në telenovela nxisin më shumë sjelljet e pahijshme dhe zgjedhjen e një modeli shembull nga fëmijët. Përdorimi i një metode të gabuar i nënës dhe babait rreth temës së respektit shkakton një shmangie, largim të fëmijëve. Fjalët fyese dhe ofenduese të përdorura nga nëna apo babai gjatë diskutimit me njëri-tjetrin ndikojnë negativisht tek fëmijët. Edhe pse prindi nuk e kupton , në atë cast fëmija ndikohet jashtë mase nga ata fjalë. Fillon të sillet në të njëjtën mënyrë edhe me moshatarët e tij. Në shumicën e rasteve fëmijët të cilët nuk janë të sjellshëm ndaj të tjerëve nuk kanë respekt as për veten e tyre. Sa më shumë sjellje të hijshme dhe fjalë të mira të ketë brenda familjes aq më shumë pritet që fëmija të jetë i edukuar dhe i sjellshmëm. Fëmija i cili ushqen ndjenjën e respektit ndaj të rriturve, mbron të tjerët, nuk dëmton ambjentin ku jeton as materialisht as moralisht mund të përkufizohet si një fëmijë i edukuar. Nëse dëshironi që fëmija juaj të jetë i edukuar atëherë silluni seriozisht përsa i përket çështjeve serioze. Ky seriozitet duhet të ruhet që nga fillimi deri në fund të fjalës pa i hapur rrugë talljeve. Sa më serioz të jetë prindi në shpjegimin e çështjes aq më tepër do ta vlerësojë fëmija. me seriozitet nuk nënkuptohet përdorimi i dhunës por kuptohet vendosmëria dhe siguria në fjalët e thëna.

No comments:

Post a Comment